Legjislacioni​

Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është kusht bazik për mirëfunksionimin e secilës pore në shoqëri. Mbrojtja e këtyre të drejtave është obligim i çdo shteti e çdo individi. Përveç që të drejtat e njeriut mbrohen me akte shtetërore, ato mbrohen edhe me akte të shumta ndërkombëtare, e që shumica zbatohen drejtëpërdrejtë edhe në Kosovë.

Kushtetuta e Kosovës

është akti më i lartë juridik në vend i cili pikërisht në kapitullin II dhe III liston disa nga të drejtat bazike të çdo personi. Përveç Kushtetutës, të drejtat dhe liritë themelore janë paraparë edhe me ligje dhe akte nënligjore në Kosovë dhe të gjitha ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu përcakton se të drejtat dhe liritë e njeriut të cilat janë të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare zbatohen drejtpërdrejt në Kosovë dhe kanë përparësi ndaj ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike, dhe ato janë:

Deklarata Universale Për të Drejtat e Njeriut

Kjo Deklaratë është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris.

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj

Ky është një dokument i nxjerrë nga Këshilli i Europës i cili ka hyrë në fuqi më 3 shtator 1953.

Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj

Ky dokument është nxjerrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 16 dhjetor 1966 dhe ka hyrë në fuqi më 26 mars 1976.

Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare

Ky dokument është nxjerrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 16 dhjetor 1966 dhe ka hyrë në fuqi më 26 mars 1976.

Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor

është një Konventë e Kombeve të Bashkuara e cila ka hyrë në fuqi me 4 janar 1969 në New York.

Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas

është një traktat ndërkombëtar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i nënshkruar më 18 dhjetor 1979.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës

është një konventë e Kombeve të Bashkuara e nënshkruar më 20 nëntor 1989 dhe ka hyrë në fuqi më 2 shtator 1990.

Konventa për të Drejtat e FëmijësKonventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese

Kjo konventë është nënshkruar në New York dhe ka hyrë në fuqi më 26 qershor 1987.

Deklarata Universale Për të Drejtat e Njeriut

Kjo Deklaratë është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris.

Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj

Ky është një dokument i nxjerrë nga Këshilli i Europës i cili ka hyrë në fuqi më 3 shtator 1953.

Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj

Ky dokument është nxjerrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 16 dhjetor 1966 dhe ka hyrë në fuqi më 26 mars 1976.

Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare

Ky dokument është nxjerrë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 16 dhjetor 1966 dhe ka hyrë në fuqi më 26 mars 1976.

Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor

është një Konventë e Kombeve të Bashkuara e cila ka hyrë në fuqi me 4 janar 1969 në New York.

Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas

është një traktat ndërkombëtar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i nënshkruar më 18 dhjetor 1979.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës

është një konventë e Kombeve të Bashkuara e nënshkruar më 20 nëntor 1989 dhe ka hyrë në fuqi më 2 shtator 1990.

Konventa për të Drejtat e FëmijësKonventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese

Kjo konventë është nënshkruar në New York dhe ka hyrë në fuqi më 26 qershor 1987.

Të drejtat

E drejta në Dinjitet është një e drejtë e pa cënueshme dhe si e tillë është bazë për të drejtat e tjera. Dinjiteti në thelb nënkupton që secili ka të drejtë që të respektohet për vlerat dhe personalitetin e vet dhe kjo e drejtë nuk mund të shmanget në asnjë mënyrë. Kjo do të thotë se e drejta e dinjitetit duhet të ruhet edhe gjatë arrestimit apo edhe gjatë mbajtjes së dënimit.
Shembull: Ju keni dhimbje në këmbë dhe shkoni për të kërkuar ndihmë në qendrën e mjekësisë familjare në fshatin tuaj. Atje doktorët ju lënë të prisni shumë me dhimbje dhe pas rreth dy ore ju marrin për trajtim duke ju bërtitur dhe duke ju thënë fjalë poshtëruese. Në këtë rast juve ju është shkelur e drejta në dinjitet. Ju duhet të drejtoheni në stacionin më të afërt policor ose të lajmëroni rastin në numrin 192. Si provë për ta vërtetuar atë që pretendoni, mund të jenë kamerat apo ndonjë dëshmitarë i rastit.

Barazia para ligjit nënkupton që çdokush gëzon të drejtën e barabartë për mbrojtje ligjore dhe para ligjit çdo person është i njëjtë pa asnjë lloj të diskriminimit në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. Diskriminimi nënkupton çfarëdo forme të kufizimit, përjashtimit, dallimit ose refuzimit të të drejtave të barabarta.
Shembull: Ju jeni qytatar/e i/e Kosovës nga komuniteti Serb. Juve ju është mohuar e drejta për të marrë pjesë në seancë gjyqësore për shkak se ju nuk e kuptoni gjuhën në të cilën po zhvillohet procedura. Si rezultat, ju jeni diskriminuar në bazë të gjuhës dhe u është shkelur e drejta për të qenë i/e barabartë para ligjit. Në rast se Gjykata Themelore nxjerrë një vendim, atëherë ju keni të drejtë të ankoheni në Gjykatën e Apelit.

E drejta për Jetë është një e drejtë absolute e njeriut dhe asnjë e drejtë tjetër nuk do të kishte vlerë nëse e drejta për jetë do të cënohej. Në Republikën e Kosovës themi që e drejta për jetë është absolute për arsye se është i ndaluar dënimi me vdekje, askush nuk ka të drejtë t’ia marrë tjetrit jetën. Kjo e drejtë është e mbrojtur edhe në raste të gjendjes së jashtëzakonshme dhe nuk mund të kufizohet siç ndodhë shembull me lirinë e lëvizjes.
Shembull: Ju dhe shoku juaj po debatonit për një problem të vjetër dhe papritmas debati në mes juve eskalon. Shoku i juaj fillon të ju fyej rëndë dhe ndërkohë nxjerrë armën e tij nga brezi dhe ju qëllon. Ju bieni në tokë pa shenja jete. Një kalimtar i rastit lajmëron policinë dhë pas pak minutash shoku juaj arrestohet nga policia. Si provë për vrasjen tuaj janë shenjat e gishtave në armë, kamerat e sigurisë si dhe dëshmia e kalimtarëve të rastit. Ne këtë rast juve u është mohuar e drejta për jetë.

E drejta e integritetit personal në vete përfshinë të drejtën e njeriut që të marrë vendim mbi riprodhimin, të drejtën e njeriut që të ketë kontrollë mbi trupin e vet, të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të vet, të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimentet mjekësore apo shkencore pa vullnetin e vet, pra, çdo person gëzon të drejtën që t’i respektohet integriteti fizik e psikik.
Shembull: Nëse një person ushtron dhunë seksuale mbi ju, ai/ajo përveç që kryen vepër penale në këtë rast juve ju cënon integritetin personal.

Tortura do të thotë çdo veprim apo mos veprim me të cilin personit tjetër i shkaktohen qëllimisht dhimbje a vuajtje të rënda, fizike ose mendore, me qëllim që të sigurojë nga ai/ajo ose nga ndonjë person i tretë ndonjë informacion, ta pranoj fajësinë për ndonjë vepër apo edhe ta detyroj të bëjë diçka. Në rast se ndonjë deklaratë merret nën përdorimin e torturës, ajo nuk është e vlefshme dhe nuk mund të mirret si provë. Tortura është e ndaluar dhe shteti kujdeset që kryerësit të sjellen para drejtësisë.
Shembull: Ju jeni akuzuar për vrasjen e shokut tuaj. Policia pasi ju kishte shoqëruar në stacionin policor ju kishte thënë që të pranoni se e keni kryer vrasjen. Pasi që ju nuk keni dashur të pranoni një gjë të tillë policët ju kishin mbyllur në një dhomë të errët e të ftohët duke mos ju dhënë as të hanit as të pinit për 24 orë. Duke mos mundur ta përballoni këtë vuajtje, ju pranoni se keni kryer vrasje, pa dashur që me të vërtetë ta pranoni një gjë të tillë. Në këtë rast, ju jeni torturuar nga zyrtarët policor dhe keni të drejtë të ankoheni në Inspektoratin Policor për sjelljet e policëve.

Askush nuk mund të mbahet në skllavëri ose në pozitë të ngjashme me të, askush nuk mund të detyrohet të bëjë punë kundër vullnetit të tij/saj, mirëpo kjo nuk vlenë në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose nëse me ligj është pëcaktuar ndryshe. Përshembull nëse një personi i është shqipëtuar dënimi me kusht me urdhër për punë në dobi të përgjithshme nga gjykata, ai person është i detyruar ta kryej atë punë siç është përcaktuar me ligj. Çfardo lloj trafikimi i qenieve njerëzore është i ndaluar. Edhe Kodi Penal i Kosovës e përcakton trafikimin e qenieve njerëzore si vepër penale me nenin 165 madje parasheh dënime të larta me gjobë e burgim, varësisht nga mënyrat e kryerjes dhe pasojat. Kodi Penal trafikimin e qenieve njerëzore e përkufizon si: rekrutim, transportim, transferim, strehim ose pranim i personave me anë të kanosjes ose të përdorimit të forcës apo me forma të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, lajthimit, keqpërdorimit të pushtetit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave apo përfitimeve për të arritur pëlqimin e personit që ka kontroll mbi personin tjetër, me qëllim të shfrytëzimit.
Shembull: Juve, duke qenë i angazhuar si zyrtar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, njëkohësisht ju percaktohet që të ushtroni funksionin edhe të zyrtarit të prokurimit, edhe pse ju një detyrë të tillë nuk e keni të përcaktuar me kontratë dhe as nuk jeni i/e kualifikuar ta kryeni. Ju nuk ishit të kënaqur dhe as që pajtoheni me ketë vendim, por u detyruat ta pranoni të njejtin për arsye se ishit të kërcënuar se nëse nuk i përmbushni ato detyrime atëherë do të largoheni nga puna. Ketu kemi të bëjmë me punë të detyruar.

E drejta e lirisë dhe e sigurisë është e garantuar dhe nënkupton se askujt nuk mund t’i mohohet liria, me përjashtim të disa rasteve, për shembull kur personi është duke e mbajtur dënimin me burgim ose kur është në paraburgim, në rast se personi është nën mbikqyrje shëndetësore për shkak të sëmundjes dhe paraqet rrezik për shoqërinë etj. Në rast se personi privohet nga liria, ai i ka disa të drejta të rëndësishmë si: – Të njoftohet për arsyen e arrestit në gjuhën që ai/ajo e kupton; – E drejta për ta nxjerrë atë person para gjykatës pa vonesa; – Të njoftojë ose të njoftohet anëtari i/e familjes ose personi tjetër përkatës sipas zgjedhjes së tij/saj; – Të ankohet në gjykatë përshkak të privimit nga liria; – Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj etj. Kushdo që personin tjetër në mënyrë të kundërligjshme e burgosë, e mban të mbyllur ose në ndonjë mënyrë tjetër e privon nga liria, dënohet me gjobë ose me burgim.
Shembull: Ju keni një konflikt me burrin tuaj prej shumë kohësh. Fillimisht burri ju qortonte për çdo gjë që ju bënit. Situata vazhdoi të përkeqësohej edhe më tutje derisa një ditë burri jua ndaloi të dilnit nga shtëpia. Kështu, ju qëndruat në shtëpi e mbyllur për më shumë se një javë derisa autoritetet e kuptuan nga një fqinj. Burri i juaj u arrestua dhe mori dënimin meritor. Juve në këtë rast ju është cënuar e drejta e lirisë.

Personat që akuzohen për ndonjë vepër penale kanë të drejtat e tyre të cilat duhen të respektohen nga organet kompetente. Fillimisht nëse një person është akuzuar për ndonjë vepër penale kjo nuk do të thotë që ai është fajtor dhe askush nuk konsiderohet i tillë deri sa fajësia të vërtetohet. Të drejtat e të akuzuarit sipas Kushtetutës: 1. E drejta të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër tij/saj; 2. E drejta të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit; 3. E drejta të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet; 4. E drejta të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi; 5. E drejta të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas. Personi i akuzuar ka të drejtë edhe të konsultohet me avokatin mbrojtës ndaras dhe ai ka të drejtë të mos jap asnjë deklaratë pa konsultim me mbrojtësin e tij/saj. 6. E drejta që të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Shembull: Ju akuzoheni për vjedhje të rëndë. Pasi merrni thirrjen dhe shkoni në gjykatë ju nuk informoheni për asnjë të drejtë që e keni, madje gjyqtari nuk e lejon as avokatin të ju përfaqësoj duke e përjashtuar nga seanca. Në këtë rast juve u janë shkelur të drejtat e të akuzuarit siç është e drejta për informim dhe e drejta për të pasur një avokat. Pasi të merrni vendimin e Gjykatës Themelore, ju keni të drejtë të ankoheni në Gjykatën e Apelit.

Secilit person i garantohen të drejta të barabarta në procedurë para organeve shtetërore si dhe secili ka të drejtë që çështja e tij/saj të shqyrtohet në mënyrë publike, të paanshme dhe të drejtë. Gjykimet zakonisht janë publike përveç nëse është përcaktuar ndryshe me ligj. Gjykimet e të miturve janë të mbyllura. Ata që nuk qëndrojnë mirë financiarisht kanë të drejtë për ndihmë juridike falas. Institucioni që ofron ndihmë juridike falas në Kosovë është Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.
Shembull: Ju keni paditur shoqen tuaj Almën për një kontest që kishit. Gjatë seancës gjyqësore, gjyqtari vazhdimisht e favorizonte Almën sepse ajo ishte vajza e një ministri të njohur, edhe pse ju kishit prova të mjaftueshme kundër saj. Pasi ju e merrni vendimin nga gjykata, kuptoni se vendimi ishte në disfavor tuajin dhe e gjithë kjo ishte bërë vetëm për arsye se gjyqtari i rastit e kishte favorizuar vajzën e ministrit. Në këtë rast ju është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse gjyqtari kishte anuar nga Alma.

Secili person që ka marrë ndonjë vendim nga ndonjë gjykatë apo organ administrativ ka të drejtë që të përdorë mjetet juridike kundër atij vendimi. Kjo nënkupton se personi mund të ankohet në një organ më të lartë nga ai që ka nxjerrë vendimin, nëse nuk është i/e kënaqur me atë vendim apo nëse mendon që i është shkelur ndonjë e drejtë me atë vendim.
Shembull: Ju merrni një vendim nga Drejtoria e Shkollës ku edhe punoni në të cilin shkruhet se ju është ndërprerë kontrata e punës. Ju nuk pajtoheni me këtë vendim të drejtorisë dhe dëshironi të ankoheni në një shkallë më të lartë. Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nuk e pranon ankesën e juaj madje nuk jep asnjë sqarim për këtë gjë. Në këtë rast, juve u është shkelur e drejta për mjete juridike, më konkretisht e drejta për ankesë në shkallë më të lartë.

Nëse një person për një veper penale është gjykuar një herë më një vendim të formës së prerë, ai person nuk mund që për të njejtën vepër të gjykohet prapë; çështja konsiderohet e gjykuar nëse kemi vendim të formës së prerë dhe nuk mund të rihapet.
Shembull: Ju pasi që keni mbajtur denimin për dy vjet rradhazi, u liruat nga burgu dhe filluat një jetë të qetë pranë familjes. Me të kaluar 5 muaj ju vie një thirrje për t’u paraqitur në gjykatë përsëri. Ju ishit akuzuar prapë për të njejtën vepër për të cilën veç e kishit përfunduar mbajtjen e dënimit me burgim. Në këtë rast juve ju është shkelur e drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njejtën vepër penale.

Liria e Lëvizjes nënkupton që secili person i cili gjendet në një shtet legalisht, ka të drejtë të lëvizë lirisht brenda atij shteti, të zgjedhë ku të banojë apo të braktisë atë shtet dhe të kthehet në vendin e vet. Në mënyrë që të lëvizin lirshëm personat duhet të kenë dokumentet adekuate të udhëtimit psh. viza, leja e qëndrimit, etj.
Shembull: Ju ishit për një vizitë tek të afërmit e juaj në Gjermani dhe duke u kthyer në Kosovë me autobus, ju ndaloheni në kufi dhe pëkundër që kishit me vete të gjithë dokumentat e nevojshme, policia nuk ju lejon të kaloni kufirin dhe të ktheheni në vendin e juaj. Në këtë rast juve ju është shkelur liria e lëvizjes.

E drejta e Privatësisë do të thotë se çdokush ka të drejtë t’i respektohet jeta private dhe familjare. Askush nuk ka të drejtë të hyjë në banesën e tjetrit dhe të cënojë privatësinë e tjetrit përveç nëse ka ndonjë urdhër nga gjykata për bastisje të banesës. Gjithashtu e drejta e privatësisë nënkupton edhe mbrojtjen e të dhënave personale të secilit person, privatësia e telefonisë, këmbimit të letrave dhe korrespondencës.
Shembull: Ju dëshironi që të ndërroni emrin dhe shënuesin e gjininsë në dokumentet e identifikimit. Juve fillimisht ju ishte caktuar seksi biologjik mashkullor pas lindjes, mirëpo pas terapisë hormonale që keni marrë me dëshirë, jeni bërë personi i parë transgjinor në fshatin ku jetoni. Ju bëtë një kërkesë për ta ndërruar emrin dhe shënjuesin e gjinisë në Zyrën e Gjendjes Civile, mirëpo kjo gjë ju refuzohet përkundër faktit se ju ofroni të gjitha dokumentat e kërkuara me ligj për një gjë të tillë. Në rastin konkret, ju jeni diskriminuar në bazë të identitetit gjinor dhe u është cënuar e drejta e privatësisë.

Secili person që ka mbushur moshën e caktuar ka të drejtë të lidhë martesë dhe të krijojë familje në bazë të pëlqimit të tij/saj. Në Kosovë edhe bashkësia jashtëmartesore është e njëjtë me martesën sa i përket të drejtave dhe detyrimeve, përshembull sa i përket përkujdesjes, ndihmës financiare reciproke etj. Në Kosovë ndalohet martesa e një personi me një person tjeter nëse ndonjëri nga këta persona ka ndonjë martesë tjetër ekzistuese. (Ndalohet Poligamia).
Shembull: Ju sapo keni mbushur moshën 25 vjeçare dhe po bënit plan që në muajin e ardhshëm të martoheni me burrin të cilin e donit, të shpërnguleni në një shtëpi të vogël e të krijoni një jetë të qetë me të. Pasi shkuat në komunë për ta lidhur martesën, juve ju mohohet një gjë e tillë nga zyrtari i komunës madje nuk ju ipet asnjë sqarim për këtë gjë. Në këtë rast, juve ju është mohuar e drejta e martesës.

E drejta e besimit dhe e fesë nënkupton që secili person mundet të zgjedhë vetë fenë e tij/saj si dhe ta ndryshoj atë, ta predikoj fenë i/e vetëm apo me bashkësi njerëzish përmes: lutjeve, zakoneve apo ceremonive të ndryshme si dhe vetë të vendos në atë se çfarë don të besojë. Secili ka të drejtë të shpreh bindjet e tij/saj fetare, ateiste apo që mos të deklarohet fare për raportin e tij/saj ndaj fesë. Republika e Kosovës është shtet laik që do të thotë neutral në çështjen e besimit fetar.
Shembull: Duke qenë predikues i fesë islame, gjatë kohës së pauzës në punën që jeni angazhuar, shkoni në Xhami dhe kryeni obligimet fetare. Një ditë, ju vjen një vendim nga shefi i juaj në të cilin shkruhet se jeni larguar nga puna për faktin se keni predikuar fenë gjatë pauzës. Juve në rastin e tillë ju është shkelur e drejta e besimit dhe e fesë.

Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet pa pengesë, të përhapë idetë e pikpamjet e veta si dhe të drejtën për të kërkuar dhe për të marrë informacione. Përshembull çdo njeri ka të drejtë që nëpërmes: të folurit, të shkruarit, artit, shtypit mediave apo çfardo mënyre tjetër të paraqes atë se çfarë mendon apo të marrë informacionin që i nevojitet. Liria e shprehjes nuk është e pa kufizuar!.
Shembull: Ju, si gazetar i gazetës “Ora” shkruani një artikull për jetën dhe veprën e një politikani. Një orë pas publikimit të artikullit, ju merrni një telefonatë nga politikani i cili kërkon që fjalimi të fshihet për arsye se përmban gjuhë të urrejtjes. Por, ju nuk e heqni artikullin duke menduar se nëse ju detyrojnë ta fshini atë do të ju cënohet liria e shprehjes dhe në bazë të saj mendoni qe keni të drejtë të shkruani gjithçka pa asnjë lloj kufizimi. Dy ditë më vonë politikani i etiketuar në artikull ju paditë për gjuhë të urrejtjes dhe gjykata vendos në favor të tij duke e dhënë arsyetimin se liria e shprehjes ka kufizimet e veta ligjore dhe është e ndaluar gjuha e urrejtjes në mënyrë të vetëdijshme.

Secili person ka të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe kjo nënkupton që çdo qytetar me një kërkesë të thjeshtë me shkrim, me gojë apo në mënyrë elektronike ka të drejtë t’ju qaset atyre dokumenteve. Personi mund ta shikojë dokumentin origjinal apo mund edhe të pranojë kopjen e atij dokumenti. Qytetarët nuk mund të kenë qasje në ato dokumente që përmbajnë ndonjë informatë sekrete apo ndonjë privatësi që nuk duhet të zbulohet në bazë të rregullave.
Shembull: Ju, gjatë studimeve në master duke pasur si temë diplome ,,Gjobat e shqiptuara nga Policia e Kosoves gjatë vitit 2018′, drejtoni nje kërkesë në institucionin e Policisë së Kosovës, për të pasur qasje në dokumente publike në menyrë që t’i siguroni të dhënat e nevojshme për punimin e temës së diplomës. Policia e Kosovës nuk ju lejon qasje në dokumente zyrtare edhe pse ju keni të drejtë të keni qasje në këto dokumente si dhe kërkesa e juaj për të pasur qasje në këto dokumente ishte e rregullt. Në rastin e tillë, juve ju është shkelur e drejta për të pasur qasje në dokumente publike.

Çdokush ka të drejtë të themelojë mjete të informimit publik siç është gazeta, revista, radio, etj. Përhapja e ideve dhe informacioneve nepër media është e garantuar dhe askush nuk mund ta ndaloj, përveç në disa raste si për shembull për pengimin e nxitjes dhe të provokimit të dhunës apo armiqësisë në bazë të urrejtjes racore, nacionale, etnike apo fetare. Gjithashtu ekziston e drejta e korrigjimit apo përmirsimit të një informacioni i cili është publikuar nëse e cënon interesin e publikuesit.
Shembull: Juve si drejtoreshë e Gazetës “ORA”, një ditë ju vie një vendim nga organet kompetente në të cilin shkruhej që duhet ta ndaloni funksionimin e Gazetës për faktin se ekziston nje numër i madh i gazetave te tilla. Kjo gazetë funksionon per një kohë të gjatë duke mos pasur asnjë vërejtje lidhur me punën. Ne rastin e tillë juve ju është shkelur liria e mediave.

Liria e Tubimit nënkupton se qytetarët kanë të drejtë të grumbullohen pa armë dhe në mënyrë të qetë, të mbajnë mbledhje, protesta, demostrata, shfaqje apo tubime të tjera dhe përmes tyre të shprehin mendimin, të kritikojnë dikë, të shpalosin krijimtarinë e tyre artistike, të shprehin mendimet e tyre politike, etj. Tubimet mund të mbahen në hapësirat e hapura apo të mbyllura dhe për organizimin e një tubimi duhet të njoftohet policia 72 orë më parë.
Shembull: Ju dhe disa qytetarë të tjerë duke qenë të pakënaqur me disa vendime te Qeverisë, vendosni që të organizoni një protestë paqësore. Protesta pritej të filloj në orën 12:00 dhe rreth orës 11:30 filluan që protestuesit të mblidhen duke qenë shumë të qetë. Policia, edhe pse ishte lejmëruar për protstën me kohë, me të parë që protestuesit veç kanë filluar të mblidhen fillojnë të përdorin gaz lotësjellës ndaj tyre, me qellim që të anulohet protesta. Në rastin e tillë është shkelur e drejta e tubimit.

Liria e Asocimit nënkupton se çdo person gëzon të drejtën që vetë ose së bashku me persona të tjerë të themelojë ndonjë organizatë, sindikatë, shoqatë fetare apo shoqata dhe organizime të tjera, me qëllim të mbrojtjes së interesave të tij apo për ndonjë qëllim tjetër. Duhet të kemi parasyshë se në rast se themelohet ndonjë organizatë me qëllim të shkeljes së të drejtave të njeriut, shkeljes së rendit kushtetues, nxitjes së urrejtjes fetare, etnike apo çfardo urrejtje, gjykata me një vendim mund ta ndaloj një organizim të tillë.
Shembull:Ju dhe shokët e juaj ishit aktivistë për mbrojtjen e mjedisit për një kohë të gjatë, nje ditë vendosni qe të hapni nje organizatë jo-qeveritare në mënyrë që të kontribuoni edhe më tepër në këtë çështje. Për këtë, ju aplikoni para organit kompetent, por organi kompetent ju refuzon aplikimin tuaj duke u arsyetuar se ka numër të madh të organizatave me fushëveprimtari të njejtë. Në rastin e tillë, juve ju është shkelur liria e asocimit.

Të Drejtat Zgjedhore nënkuptojnë se çdo individ, shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur. Zgjedhjet e lira organizohen në çdo shtet demokratik dhe në këto zgjedhje qytetarët kanë të drejtë që të votojnë persona të caktuar që dëshirojnë t’i përfaqsojnë ata, si dhe kanë të drejtë të kandidojnë dhe të jenë të zgjedhurit e qytetarëve. Vota është personale dhe askush nuk mund të votojë për tjetrin; është e lirë dhe askush nuk mund t’ia mohojë askujt votën; është e fshehtë dhe e barabartë. Institucionet shtetërore e përkrahin mundsinë që qytetarët të marrin pjesë në aktivitetet publike dhe që vetë qytetarët të ndikojnë në mënyrë demokratike në vendimet e organeve të shtetit.
Shembull: Ju, me të mbushur moshën 20 vjeçare, duke qenë edhe koha e zgjedhjeve parlamentare, vendosni që të kandidoni për deputet, por pa ju bashkangjitur ndonjë partie politike. Organet kompetente nuk ju lejojnë që të kandidoni, duke u arsyetuar se duhet të kandidoni vetëm duke qenë pjesë e ndonjë partie politike. Në rastin e tillë, juve ju është shkelur e drejta për t’u zgjedhur.

Mbrojtja e Pronës nënkupton që çdokush ka të drejtë të posedojë dhe të fitojë pasuri si dhe ajo pasuri apo pronë të jetë e mbrojtur nga personat e tjerë që atë dëshirojnë ta marrin në mënyrë të dhunshme dhe jo ligjore. Shpronësimi i pronës private është i lejuar në “interes të përgjithshëm”, por gjithmonë bëhet me kompenzim. Gjithashtu në Kosovë me ligje është e mbrojtur edhe pronësia intelektuale që përfshin: veprat letrare, artistike dhe shkencore, interpretimet e artistëve ekzekutues, fonogramet dhe transmetimet, shpikjet, zbulimet shkencore, markat tregtare, etj.
Shembull: Ju sapo kishit blerë një veturë të re me kursimet disa vjeçare. Një ditë derisa kishit parkuar veturën në vend parkimin e qytetit, një person i panjohur godet xhamin e dritares dhe pasi e thyen atë, ai ju merr një llaptop dhe disa gjëra me vlerë që gjindeshin në veturë. Ju sapo e vëreni se ç‘kishte ndodhur, telefononi policinë dhe e paraqitni rastin. Policia vije në vendin e ngjarjes, merr shenjat e gishtave dhe të gjitha provat e tjera. Në rastin e tillë, juve u është cënuar prona.

Në Kosovë secili person ka të drejtë në shkollim themelor pa pagesë. Arsimi fillor dhe i mesëm në Kosovë është falas ndërsa për moshën nga 6 vjeç deri në 15 vjeç arsimimi është i detyrueshëm.
Shembull: Motra juaj edhe pse ka mbushur moshën e paraparë për të filluar shkollimin, prindërit nuk e dergojnë në shkollë. Objekti në të cilin motra juaj duhet të vijoj klasën e parë nuk i lejojnë qasje fizike pasiqë aty mungojnë laurat (pjerrinat) dhe duke qenë se ajo ka probleme me këmbë, ajo mund të lëvizë vetëm me karrocë. Në rastin e tillë motrës tuaj i është mohuar e drejta në arsim për shkak të pamundësisë së qasjes fizike në shkollë.

Liria e Artit dhe e Shkencës nëkupton që çdokush është i/e lirë që të marrë pjesë në jetën kulturore, që të kënaqet me artin dhe të marrë pjesë në përparimin shkencor dhe në të mirat që dalin nga kjo, gjithashtu çdokush ka të drejtë në mbrojtjen e interesave materiale që rrjedhin nga veprat artistike e shkencore.
Shembull: Ju si student/e i/e nivelit master keni mbrojtur temën tuaj të diplomës para komisionit me një vlerësim shumë të lartë. Por, meqë tema që keni përgatitur kishte të bënte me masat parandaluese për përdorimin e narkotikëve, Qeveria e Kosovës të njejtin punim e shfrytëzoi si një pjesë e strategjisë për parandalimin e narkotikëve. Por, Qeveria e Kosovës nuk ju kishte pyetur fare nëse mundet ta shfrytëzojë punimin tuaj dhe as nuk ishte cituar punimi e as nuk ishte vendosur ndonjë referencë. Këtu kemi të bejmë me shkelje të drejtave të autorit që gjithashtu inkorporohet edhe ne nenin 48 Lira e Artit dhe e Shkencës të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e punës, duke u dhënë lirinë secilit person që të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës. E drejta e punës nuk do të thotë se çdo person ka të drejtë që t’i sigurohet punësimi, por mundësia për secilin që të sigurojë mjete për jetesë me punën e cila është zgjedhur dhe pranuar lirisht. E drejta në punë parashihet vetëm si e drejtë, asesi edhe si detyrim. Kjo nënkupton që një person i caktuar nëse e sheh të arsyeshme, mundet të mos punoj fare edhe pse ka mundësi që të punojë. Puna e detyruar dhe e dhunshme është e ndaluar.
Shembull: Ju, si jurist i diplomuar, keni plotësuar të gjitha kriteret për ushtrimin e profesionit të Avokatit, si profesion i lirë. Megjithatë, organi kompeten nuk u jep leje që ta ushtroni funksionin e tillë duke u arsyetuar se ka numër të madh të avokatëve. Në rastin e tillë, juve u është cënuar e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit.

Kushtetuta e Kosovës garanton dhe mbron të drejtat e fëmijës duke përcaktuar se: fëmijët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes dhe të kujdesit të domosdoshëm për mirëqenien e tyre, fëmijët e lindur jashtë martesës janë plotësisht të barabartë sa i përket të drejtave të tyre me ata të lindur në martesë. Gjithashtu, fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga dhuna dhe keqtrajtimet e ndryshme si dhe të gjitha veprimet që ndërmirren nga institucionet publike e private që kanë të bëjnë me fëmijët, duhet të jenë në interesin më të mirë të tyre. Fëmijët gëzojnë të drejtën për raporte të rregullta personale dhe kontakte të drejtëpërdrejta me prindërit e vet dhe një gjë e tillë ndalohet vetëm për interesin më të mirë të fëmijës.
Shembull: Vëllau juaj është një fëmijë shumë i qetë në jetën e përditshëm, mirëpo, një ditë duke qënë në kopsht për një moment nuk i bindet urdhërave të mësuesit/kujdestarit. Kujdestari duke e parë që vëllau i juaj nuk po i bindet urdhërave të tij, fillon dhe përdorë dhunë mbi të madje edhe duke e goditur. Në rastin e tillë ka cenim të të drejtave të femijës.

Secili individ gëzon të drejtën e mbrojtjës së shëndetit psikik dhe fizik. Ndërsa te mbrojtja sociale nënkuptohen të drejtat e sigurimit shëndetësor dhe të drejtat e tjera në rast të sëmundjes, të drejtat në rast të shtatzënësisë, të lindjes, të zvogëlimit apo të humbjes së aftësisë së punës, të papunësisë dhe të pleqërisë, ndërsa për anëtarët e familjes, e drejta e mbrojtjes shëndetësore, e drejta e pensionit familjar si dhe të drejtat e tjera në bazë të sigurimit social. Mbrojtje e veçantë u ofrohet invalidëve, veteranëve të luftës dhe viktimave të luftës.
Shembull: Ju jeni me profesion ekonomiste dhe punoni për bankën “Money” në Prishtinë. Ju jeni shtatëzënë dhe po prisni fëmijën tuaj të parë. Pas disa komplikimeve që keni me shëndetin, dy javë para lindjes mjeku ju rekomandon që të merrni pushim nga puna dhe të shtriheni në spital sepse beba është në rrezik. Pasi ju i dërgoni vertetimin e mjekut punëdhënësit tuaj, ai refuzon të aprovojë pushimin e rekomanduar nga mjeku dhe ju urdhëron të ktheheni në punë. Në këtë rast juve ju është mohuar mbrojtja shëndetësore dhe sociale.

Çdokush ka të drejtë të kërkoj mbrojtje nëse ndonjë e drejtë i është shkelur. Të drejtat mud të mbrohen përmes rrugëve gjyqësore dhe çdokush ka të drejtë për një gjykim të paanshëm dhe të bazuar në ligj.
Shembull: Ju keni lidhur një kontratë me shokun tuaj Andin për blerjen e një veture. Përderisa ju ia keni dorëzuar shumën e të hollave për blerjen e veturës, Andi nuk e përmbushë detyrimin e tij, pra nuk u’a dorëzon veturën. Për këtë arsye, ju me padi filloni procedurën në Gjykatën Themelore. Nëse Gjykata Themelore nuk e merr parasyshë padinë tuaj, e as Gjykata Apelit dhe Gjykata Supreme, atëherë në rastin e tillë, kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut sepse juve po u mohohet e drejta për mbrojtje gjyqësore që garantohet edhe me Kushtetutë. Në rastin e tillë, ju mund ta referoni çështjen dhe të kërkoni mbrojtje në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës.

Fillimisht, si gjendje e jashtëzakonshme konsiderohet lufta ose ndonjë rrezik tjetër publik që i kanoset mbijetesës së kombit. Në raste të tilla mund të ketë shmangje nga të drejtat dhe liritë themelore që garantohen me Kushtetutë mirëpo vetem në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e caktuara. Disa të drejta janë të garantuara dhe nuk mund të cënohen as në gjendje të jashtëzakonshme, e disa nga to janë e drejta për jetë, e drejta në dinjitet, ndalimi i robërisë dhe sllavërisë etj.

Kosova si shtet multietnik garanton të drejtat e të gjithë komuniteteve. Pjesëtarëve të komuniteteve u garantohen me Kushtetutë të drejtat për: shprehje, ruajtje, kultivim dhe zhillim të veçantive nacionale, etnike, kulturore dhe fetare, e drejta në përdorimit të simboleve të veta në vende publike, e drejta e shfrytëzimit të gjuhës dhe të shkrimit të vet, e drejta e shkollimit në gjuhën e vet, e drejta e formimit të institucioneve arsimore private, e drejta që në gjuhën e vet ta përdorin emrin dhe mbiemrin, që në mjediset ku përbëjnë popullsi të konsiderueshme, emërtimet tradicionale lokale, emrat e rrugëve, të vendbanimeve dhe shenjat topografike të jenë të shkruara edhe në gjuhën e tyre, të drejtën për informim të plotë me kohë dhe të paanshëm në gjuhën e tyre, duke përfshirë edhe të drejtën për shprehjen, marrjen, dërgimin dhe këmbimin e informatave dhe të ideve, të drejtën e themelimit të mjeteve vetjake të informimit publik, në pajtim me ligjin. Këto të drejta paraqiten edhe si të drejta individuale, po ashtu edhe kolektive (si bashkësi). Të drejtat kolektive të pakicave nënkuptojnë qe komunitetet, qoftë direkt apo me anë të përfaqësimit nga ana e të zgjedhurve të tyre, të marrin pjesë në vendimmarrje apo të vendosin vetë për çështje të caktuara lidhur me arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit të tyre.
Shembull: Pjestarët e komunitetit rom në Kosovë dëshirojnë të botojnë një gazetë të përditshme në gjuhën rome. Me të kuptuar, organi kompetent e ndalon këtë gjë me arsyetimin se gjuha rome nuk është gjuhë zyrtare në Kosovë dhe se ata nuk kanë të drejtë për një gjë të tillë pasi edhe që nuk e përbëjnë popullsinë shumicë në Kosovë. Në këtë rast është bërë diskriminim në bazë të etnisë si dhe komunitetit rom i është cënuar e drejta e përdorimit të gjuhës dhe shkrimit të tyre si dhe e drejta për informim të plotë me kohë në gjuhën e tyre.

Blog​

https://edrejtajem.org/wp-content/uploads/2023/03/Rejana-Kojic-3rd-1.mov “Kjo video paraqet mendimet e disa të rinjve/rejave nga komunitete të ndryshme mbi të

“Këto fotografi të shkrepura në ish-Burgun e Prishtinës, paraqesin një sistem të drejtësisë të kalbur,

“Ngjyra e verdhë dhe e kaltër reprezantojnë ngjyrat e flamurit të shtetit tonë Kosovës. Goja

RAPORTO

YIHR KS do të kërkojë llogari nga institucionet përkatëse dhe do t’i mbajë nën vëzhgim për veprimet ose mos-veprimet sa i përket pyetjeve/rasteve të raportuara. Megjithatë, YIHR KS nuk mbanë përgjegjësi për mos-reagimin e intitucioneve të drejtësisë pas adresimit të raportimeve/pyetjeve.