Eksperienca në Gjykatë
Gjatë aktivitetit të monitorimit të seancave gjyqësore jam familjarizuar më shumë me rrjedhën e seancave gjyqësore. Si studente e drejtësisë por dhe si qytetare e thjeshtë është e nevojshme që të informohem sa më shumë për të drejtat e njeriut që u takojnë gjatë një procesi gjyqësor. Në botën ku ne jetojmë ka shumë padrejtësi, dhe të drejtat tona mund të shkelen çdo ditë pa vetëdijen tonë. Të drejtat u përkasin të gjithë individëve dhe duhet të gëzohen në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Shkelja e të drejtave të njeriut nuk nënkupton vetëm të penguarit për të realizuar një të drejtë, por nënkupton mohimin e një jete dinjitoze. Andaj është më se e nevojshme informimi për të drejtat e njeriut. Gjatë monitorimit, nuk kam vërejtur ndonjë padrejtësi, përkundrazi gjykatësit në çdo seancë i kanë njoftuar palët për të drejtat që u takojnë. YIHR KS është një ndër organizatat joqeveritare më të suksesshme në promovimin e këtyre të drejtave dhe gjithmonë ka qenë kënaqësi të marr pjesë në këto aktivitete sepse gjithnjë kam mësuar diçka të re dhe kam njohur njerëz të rinj.
Donika Ahmetaj