Shkallët e Gjyqësorit në Kosovë
Shkalla e parë , Gjykata Themelore
Gjykatat Themelore janë kompetente për të gjykuar në shkallë të parë të gjitha çështjet.
Kështu për shembull nëse ju keni përjetuar një aksident me veturë dhe nga ky aksident keni pësuar lëndime trupore dhe dëmtim të automjetit, me ç’rast kërkoni kompenzim të dëmit nga kompania siguruese. Në këtë rast, ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Themelore me kërkesën për kompenzim dëmi, në qoftë se dicka e tillë nuk është realizuar vullnetarisht nga kompania siguruese.
Shkalla e dytë, Gjykata e Apelit
Gjykata e Apelit vepron si gjykatë e shkallës së dytë, me juridiksion territorial në gjithë Republikën e Kosovës.
Gjykata e Apelit është kompetente të shqyrtojë:
- të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatave Themelore;
- të vendos për konfliktin e juridiksionit ndërmjet Gjykatave Themelore.
Për shembull, në rast se ke argumente dhe mështetje të mjaftueshme ligjore se Gjykata Themelore (ku ti ke paraqitur rastin për kompenzimin e dëmit) ka nxjerrur vendim jo të drejtë apo vendimi i gjykatës nuk ka qenë i paanshëm atëherë nëpërmjet ankesës ti mund ta goditësh atë vendim në Gjykatën e Apelit.
Shkalla e tretë, Gjykata Supreme
Gjykata Supreme e Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Kosovës.
Gjykata Supreme është kompetente të vendosë lidhur me:
- kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës;
- revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore.
Për shembull, pasi që ti ke shtjerrur mjetin e rregullt juridik të ankesës në Gjykatën e Apelit dhe prap je i bindur dhe ke argumente se edhe pasi që ajo gjykatë ka nxjerrur vendim të prerë, vendimi ka qenë jo i drejtë, tani ti mund të perdorësh mjetet e jashtëzakonshme juridike, siç është revizioni.
Gjykata Supreme vendos në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj.
Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj. Ju si individë mund t’i drejtoheni kësaj gjykate nëse u janë shkelur ndonjë nga të drejtat apo liritë themelore nga autoritetet publike, por vetëm nëse ke shtjerrur të gjitha mjetet e tjera efektive juridike.
Për shembull, nëse gjatë kohës kur ti ke kryer një vepër, ajo vepër nuk ka qenë e paraparë si vepër penale dhe tani ti je akuzuar nga organet e rendit mbi atë vepër, kjo paraqet shkelje të nenit 33 të Kushtetutës mbi Parimin e Legalitetit dhe Proporcionalitetit në rastet penale.