Reagim për shkelje të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë rreth një raportimi të pranuar në kuadër të platformës “E Drejta Jem” për shkelje të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë.
Në raportimin e pranuar është adresuar çështja e takimit të një gjyqtari me prokurorin jashtë seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë pa qenë prezent avokati, duke vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit në procesin gjyqësor e që është në kundërshtim me këto dispozita ligjore:
● Nenin 2 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë“Gjyqtari gjatë ushtrimit të funksionit të tij i trajton të gjitha palët në procedurë në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anonime dhe paragjykime. Gjatë gjithë kohës gjyqtari duhet të jetë dhe duhet të duket i paanshëm. Paanshmëria ka të bëjë jo vetëm me vendimin, por edhe me procedurën e marrjes së vendimit.”; paragrafin 2.1 “Gjyqtari me sjelljet e tij në gjykatë dhe jashtë gjykatës ruan dhe avancon besimin e publikut dhe palëve në paanshmërine e tij dhe gjyqësorit në përgjithësi”; dhe paragrafin 2.3. “Gjyqtari në relacionet e tij personale dhe me pjesëtaret e komunitetit të drejtësisë i shmanget situatave në të cilat në mënyrë të arsyeshme mund të
vë në dyshim paanshmërinë e tij”.
● Nenin 5 të Ligjit për Përgjegjësinë Diciplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, paragrafin 2 “Shkelje e detyrave të gjyqtarit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se gjyqtari i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë”, paragrafin 2.2. “nuk i trajton siç kërkohet me ligj palët në procedurë, përfaqësuesit e tyre, dëshmitarët, dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë” dhe paragrafin 2.8 “përfshihet në çfarëdo komunikimi
ex-parte, lidhur me lëndët”.
● Nenin 39 paragrafin 3 të Kodit të Procedurës Penale: “Gjyqtari gjithashtu mund të përjashtohet nga ushtrimi i funksionit gjyqësor në rast konkret, nëse përpos rasteve nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, prezantohen dhe vërtetohen rrethana që e vënë në dyshim paanshmërinë e tij ose që duken të papërshtatshme.”
Reagimin e plotë e gjeni më poshtë.