Monitorimi i seancave gjyqësore
Gjatë kësaj kohe, përpos mundësisë që ne të monitorojmë seancat gjyqësore, ne kemi pasur edhe një trajnim për Kërkesa për Qasje në Dokumente Publike, trajnim ky që u mbajt nga Flutura Kusari, ligjëruesja më e qëlluar për këtë punë! Efektet e këtij trajnimi janë parë menjëherë, kur unë bëra një kërkesë për qasje në dokumente publike sipas instruksioneve të dhëna, dhe kam marrë përgjigjiet që më janë nevojitur brenda afatit ligjor.
Ditë më pas, neve na është mundësuar edhe një trajnim për Gjykatën Speciale, ku kam mësuar shumë gjëra të reja nga anëtarë të kësaj Gjykate, dhe tani kam një ide më të qartë se si kjo Gjykatë funksionon. Pra, me sa po kuptoni kjo mundësi është mundësi e artë për studentët e juridikut dhe për ata që janë entuziastë për të mësuar çdoherë gjëra të reja.
Por aktiviteti kryesor i këtij projekti ka qenë monitorimi i seancave gjyqësore. Unë monitorimin e kam kryer në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Dega në Lipjan. Mund të them se kjo është sigurisht një nga eksperiencat më të mira që kam pasur deri më sot. Kam pasur mundësinë të diskutoj me gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm, të gjithë persona të cilët janë shumë të përkushtuar në atë çka bëjnë. Ata ishin shumë mikpritës, sidomos kur kuptuan se isha studente e vitit të dytë, duke u munduar kështu që në çdo hapësirë kohore që kishin të shpjegonin gjëra nga më të ndryshmet që për mua mund të ishin interesante. Përpos kësaj, pata mundësinë që gjatë këtyre seancave të shihja në praktikë, një pjesë të vogël të asaj se çka kemi mësuar si pjesë teorike në fakultet, dhe pa frikë mund të them se i kam kuptuar dhe kristalizuar ato gjëra akoma më mirë.
E vetmja e metë e kësaj eksperience, është se mbaroi shumë shpejtë, por pa dyshim është një nga ato të cilat nuk harrohet kurrë. Shfrytëzoj rastin që të falenderoj stafin e YIHR KS, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht profesionalë dhe kanë qenë në kontakt me mua në secilën herë që kam pasur nevojë për sqarime dhe i falënderoj edhe për mundësinë që më është dhënë. Kjo që po bëni ju për juristët e ardhshëm është me të vërtetë e mrekullueshme!
Pa dashur të zgjatem më shumë, dua që të shfrytëzoj rastin që të ndjekni shpalljet dhe kurdo që thirrja për ‘Monitorimin e seancave gjyqësore’ të bëhet prapë, të lini çfarëdo që jeni duke bërë për momentin, dhe të aplikoni, sepse me të vërtetë është diçka të cilën do ta mbani në mend tërë jetën!
Fatlinda Reqica