Blog

Home / Blog Shqip  / Monitorimi i seancave gjyqësore

Monitorimi i seancave gjyqësore

Ky program më dha mundësinë që për herë të parë t’i shoh, t’i përjetoj nga afër seancat gjyqësore dhe cdo detaj tjetër rreth tyre, detaje këto të cilat në fakultet i mësojmë vetëm në teori. Për mua ishte një përfitim shumë i madh që këto detaje të zhvillimit të një seance gjyqësore t’i shoh tek jetësohen në praktikë.

Gjatë kësaj eksperience kalova me të vërtetë kohë shumë produktive, në disa nga gjykatat themelore të Republikës së Kosovës. Kisha rast që të diskutoja me gjykatës, me punëtor të administratës ndër të tjera kisha rast të kaloja kohë të konsiderueshme me policët e Kosovës, gjatë pritjes për fillimin e seancave gjyqësore. Me vëmendje i dëgjoja disa prej përvojave interesante të tyre por edhe disa prej ankesave që ata kishin e një prej më të theksuarave ishte mosrespektimi i orarit të zhvillimit të seancave gjyqësore. Ata, njësoj si edhe unë nervozoheshin paksa me këto vonesa.

Habia shtohej pak më tepër kur të njëjtat vonesa nuk ndodhnin në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri; as nga gjyqtarët shqiptar e aq më pak nga gjyqtarët apo prokurorët serb, këta të fundit në fakt ishin shumë të përpiktë në respektimin e orarit të seancave gjyqësore në veri. Pse kjo disiplinë e respektimit të orarit ndodhte në veri e jo në gjykatat tjera të cilat mu dha rasti t’i vizitoja? Këtë ende nuk di ta shpjegoj as unë as policët tanë.

Gjatë monitorimit të këtyre seancave, pata rastin t’i shoh nga afër të akuzuarit e të dënuarit. Nuk kishte nevojë për ndonjë analizë të thellë të kuptoje se pse dhe cfarë i shtyente që të kryenin vepra penale. I shihja me dhembshuri pothuajse të gjithë të cilët ndodheshin në bankën e të akuzuarve. Kjo sepse, mosha e të njejtëve sillej prej 18 deri 25 vjec.

Shumë prej tyre recidivist kryesisht për vjedhje. Të mësuar nga ajo jetesë; nuk ishte asgjë e re për ta burgu.

Kur gjykatësi përkatës pyeste për gjendjen e tyre ekonomike, përgjigjia e tyre e menjëhershme ishte: “Jetoj me social”.

Kur gjykatësi përkatës pyeste për shkollimin e tyre, përgjigjia ishte: “Vetëm shkollën fillore”, “Deri në të mesmen”. Pothuajse në çdo seancë, gjykatësi detyrohej që disa herë t’i shpjegonte me fjalët më të thjeshta të mundëshme këtyre të rinjëve se çka thuhej në aktakuzë apo se cilat ishin të drejtat e tyre të garantuara si të pandehur.

Duke filluar nga mënyra e jashtme e paraqitjes së tyre në gjykatë e deri te këto përgjigje, ti arrije të kuptoje lehtë që në shumë raste, këta të rinjë nuk e kishin zgjedhur këtë rrugë nga dëshira.

Një 20 vjeçar nuk e kishte vjedhur pyllin me dhjetra herë nga dëshira por nga skamja.

Mund të tingëllojnë ndonjëherë të stërthëna thirrjet për reforma në arsim por në fakt kur ke rast të ballafaqohesh me problemin në përditshmëri, e sheh se këto thirrje nuk janë të mjaftueshme. Arsimimi është hallka e gjithçkaje. Shkollimi është pika esenciale për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë në aspektin e përballjes me sfidat që jeta sjellë.

Erza Beka

No Comments

Post a Comment