Blog

Home / Blog Shqip  / GARA ARTISTIKE 2022- VENDI I tretË

GARA ARTISTIKE 2022- VENDI I tretË

Ese vendit të tretë, nga gara artistike e organizuar nga YIHR KS

Andika Pllana

Një Kosovë pa ty, drejtësi!


Drejtësi, ka kaluar një kohë shumë e gjatë që kur ti ke rënë në komë. Njerëzit shëtiten kot rrugëve tërë ditën, e nuk gjejnë kohë të të vizitojnë.
Mungesa jote la gjurmë të thella e të pashlyeshme brenda neve, në brendësi të çdo fëmiu e çdo të rrituri.
Ditët po kalojnë, e zbraztia e krijuar nga ti po rritet më shumë. Atë boshllëk që e ndjejmë përbrenda po e zëvendëson frika.
Jemi duke jetuar në një vend të tillë ku, fëmiu i frikësohet të rriturit, i varfuri i nënshtrohet të pasurit, e vërteta nuk ka vlerë e gënjeshtrës i besojmë, çdo ditë zgjohemi por nuk jetojmë.
Që të përshtatemi me njerëzit përreth, të mos jemi të shtypur e të mos ndihemi të diskriminuar, ne kemi ndërruar personalitet. Sikur paqyra të mos shfaqte pamjen vizuale por të kishte fuqi të reflektonte brendësinë e të mos e mbante sekret, ndoshta do të më besoje.
E di, sepse edhe unë nuk jam më unë. E kam humbur vetën, e nuk di ku ta kërkoj.
Dikë të panjohur kam përbrenda e nuk e largoj dot nga vetja. Ai në dorë ka pendën, e atë që e shkruan unë e jetoj.
Nuk je ti, e nuk ka barazi. Jemi pushtuar nga pabarazia, e të gjithë në gjunjë i jemi dorëzuar asaj.
Në shpirt bërtasim, e zë nuk nxjerrim. A është kjo ajo që njerëzit e quajnë dhimbje?
Me sytë e turbulluar nga lotët u prangosa në imagjinatë. Në shtegun përballë meje, fillova të ecja e vetmuar, aty të pashë ty. Ti je kuptimi i jetës, je ajo që na dhuron mundësinë që ne të jemi vetëvetja e të ndërtojmë jetën tonë, themeli i të cilës do të jetë e vërteta. Je ti arsyeja e ndërtimit të një jete ku e vërteta zë rrënjë, ndërsa gënjeshtra mbetet në hije.
Me praninë tënde, nuk ka rëndësi ngjyra e trupit, mungesa e gjymtyrëve, feja, gjinia, paratë, arsimimi, paaftësitë që nuk e kemi në dorë t’i kontrollojmë.
E jo që nuk kanë rëndësi, por me praninë tënde ne të gjithë ndihemi të barabartë.
Dikur, kur mungesa jote nuk kishte përmasa kaq te mëdha, e mbaj mend dhe unë, ndonëse mjegulla më ka pushtuar mendjen dhe kujtimet janë bërë të zymta me vjetërsinë e tyre, une nuk kisha dëshirë të ndryshoj që të jem e barabartë me të tjerët e të krijoj shoqëri.
Pastaj hapa sytë e vështrova errësirën e dhomës që më kishte kapluar, e ishte e pamundur të hapja dritarën që të hynte rrezatimi i diellit, sepse errësira brenda njerëzve reflektonte aq shumë drejt meje, sa dielli humbiste gjurmët.
Diku thellë në vetëvete, e di se e kam paqen që me mungesën tënde u venit. U venit, e lotët e mi nuk e gjallërojnë dot.
Drejtësi, o nëna jonë. Vallë a e braktis nëna fëmiun e saj, përse ti e braktise popullin tonë?
Jam pa shpresë e sërish jetoj.
Drejtësi, me lotë në sy të drejtohem ty e kërkoj praninë tënde.
Zgjohu nga koma në të cilën ke rënë, e na dhuro shpresën e humbur.
Përballë kam një greminë e une të kam zgjatur dorën ty, më mbaj pranë e me dhuro dritë, ose më lësho sepse une dua të ikë.

No Comments

Post a Comment