Blog

Home / Blog Shqip  / Ese mbi të drejtat e njeriut dhe qasjen në drejtësi

Ese mbi të drejtat e njeriut dhe qasjen në drejtësi

Të jesh fëmijë i mileniumit të ri, me gjasë në botë mund të jetë privilegj, por në shoqërinë kosovare nuk është e lehtë. Posaqërisht, kur rininë e përjeton si vajzë e komunitetit rom, ashkali apo egjiptian në një shtet të brishtë, në tranzicion dhe ku mospërfillja nga insitutcionet e shtetit të shtyen që të heqësh dorë nga të gjitha ëndrrat për të ardhmen.

Këto mendime i shtyp, teksa përgatitem për të shkuar në punë ku jam asistente e mësueses në një kopsht që është falas për fëmijët e komunitetve pakicë, i cili gjendet thellë në lagjen 29, të Fushë Kosovës. Vendi im i punës është në një lagje ku organizatat e huaja, përfaqësuesit e institucioneve, ligji, integrimi dhe të drejtat e njeriut vështirë e gjejnë rrugën për të ardhur dhe për të parë se si fëmijët shkojnë pothuajse zbathur dhe të uritur në shkollë. Ata shkojnë në shkollë pa maska, për ata nuk ekziston pandemia, nuk ekzistojnë dezinfektuesit dhe distanca sociale.

Rrugës ku balta sa vjen e mi rëndon më shumë këpucët, vajza të reja 18 vjecare tanimë që janë zonja shtëpie dhe kanë se paku një apo dy fëmijë shpësh më shoqërojnë rrugës duke të thënë “Qikooo, mete pa martu, leje punën ma! Cka po pret, 20 vjece je, të shkoi vakti!

E mos të flasim që duhet të kaloj kah i ashtuquajturi “tregu” ku dhjetëra djem të rinj e burra sorollaten tërë ditën duke pritur për ndonjë mundësi të artë që në përkthim do të thotë punë ditore fizike, ku fitojnë jo më shumë se 10 apo 15 Euro në ditë.

Për t’u shpërqendruar, i vendos dëgjueset në vesh dhe dëgjoj këngën time të preferuar “Flames” nga Sia që e kam vendosur ne loop. Këngë kjo që më motivon dhe më ngjallë vullnet që të mos heq dorë nga ëndrrat e mia. Këngën ma ndërprenë mesazhi i shoqes sime Liridonës e cila punon si dizajnere në një dyqan rrobaqepësie. Ajo më fton që ti bashkangjitem protestës së organizuar nga të rinjtë e Fushë Kosovës për të kërkuar drejtësi për rastin më të rëndë që ka ndodhur viteve të fundit ku një fëmijë i lagjes sonë u përdhunua e më pas u vra mizorisht nga një person të cilin institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë thjeshtë vendosën ta shpërfillën dhe ta lënë të lirë, pavarësisht ankesave dhe lajmërimit të nënës së viktimës në polici se fëmiu i saj kërcënohej dhe keqpërdorej nga monstra. Zërin e asaj nëne policia e prokuroria nuk e dëgjoi me kohë, derisa u bë vonë. Tepër vonë…

Ndërroj rrugë dhe nisem pa u menduar dy herë për t’iu bashkangjitur protestës. Bashkohem rrugës me dhjetëra të rinj të tjerë dhe drejtohemi për tëk stacioni i policisë ku do të organizohet protesta. Më dukej se të gjithë merrnim fryme përnjëherë. Atë ditë ne ishim zëri i nënës së Kujtimit, ishim zëri i shumë nënave, baballarëve, motrave e fëmijëve tjerë rom, ashkali e egjiptian që i qëndrojnë e i bëjnë ballë cdo ditë mbijetesës, dhunës në familje dhe shoqëri, diskriminimit, padrejtësive dhe mbi të gjitha neglizhencës së institucioneve kundrejt komuniteteve të cilat patën fatin që të lindin me ngjyrë, e që të rriten si më pak të privilegjuar thuaj se kjo ësht gjëja më normale në botë.

Pozitat e larta të pushtetarëve, rrobat e shtrenjta e diplomat e tyre, neve të rinjëve të këtyre komuniteve nuk na lënë përshtypje sepse jemi një gjeneratë e re e cila do avokojë dhe do të luftojë me të gjitha forcat për të ndryshuar këtë realitet. Jemi gjeneratë që shikojmë kah e ardhmja e cila patjetër se do të jetë e ndritur.

Me emocione të përziera, pas përfundimit të protestës kthehem në punë. Aty ku më presin fytyrat e vogla të buzëqeshura të fëmijëve të kopshtit dhe më përqafojnë fort, thuajse e dinin se unë tanimë kisha vendosur që bashkë me shoqet e mia të marrim iniciativë që të krijojmë një organizatë për fuqizimni e grave dhe vajzave.

Atë ditë ndryshoi dicka brenda nesh. Atë ditë une dhe shoqet e mia vendosëm që të bashkohemi për një kauzë e cila do nuk do ti lejojë institucionet që të rehatohen në zyret e tyre të bukura. Ne do të kërkojmë me ngulm aq sa mundemi dhe kemi mundësi për ta ndërruar mendësinë e komuniteteve të cilave i përkasim. Ne do të kujdesemi që të jemi “reminder” i vendimmarrësve se të rinjtë e grupeve jo të fazorizuara nuk do të ndalen kurrë së kërkuari të drejtat e tyre, të drejtat themelore të njeriut për ne si rini dhe komunitetet tona.

Në një vend ku shkelja e të drejtave themelore të njeriut të hudhë në greminën e eksplorimit të mundësive të para për të migruar diku larg, shumë larg, atje ku nuk “detyrohesh” që të martohesh heret që të mos mbetesh barrë e familjës së babait, atje ku fëmijët me ngjyrë nuk ulen në bankën e fundit, atje ku shteti merr përgjegjësi kur ndodhin krimet ndaj komuniteteve më pak të favorizuara, ne do të jemi zëri i arsyes dhe i kërkesës që vëmendja e shtetit të kthehet kah grupet e margjinalizuara.

Institucionet e Kosovës do të duhej që të krijojnë mekanizma të duhur efektiv dhe funksional, në bashkëpunim me komunitetet, e posaqërisht me rininë në mënyrë që të dëgjohen zërat tanë, të kuptohen nevojat tona dhe të hecim të gjithë bashkë drejt një të ardhme të sigurtë, e jo të hecim në protesta.

Të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë më ata të paraluftës. Gjeneratat e reja kanë shumë vullnet, dëshirë dhe vizion për të bërë ndryshime në shoqëri, tjetër gjë është që hasim në dyer të mbyllura e vesh të shurdhër.  Ne, gjithashtu, e kuptojmë që gjithpërfshirja sociale kërkon shumë përkushtim, por kjo nuk mund të bëhet me forcat dhe idetë e pesë shoqeve siq jemi ne. Shkollat, institucionet e rendit dhe ligjit, qendrat për punë sociale dhe institucionet shëndetësore do të duhej që të jenë më bashkëpunuese dhe më të përkushtuara në integrimin dhe trajtimin e barabartë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptian nuk dëshirojnë që të jetojnë me asistencën sociale të familjes së tyre. Ata dëshirojnë që të ndjehen banorë jo vetëm të Kosovës, por edhe të Evropës.

Fundja, yjet në flamurin e Kosovës, janë të gjithë të barabartë, por në praktikë, dhe në situatën aktuale një yll duket se është më i vogël dhe më i turbullt. Andaj, vetëm me bashkëpunim dhe forca të përbashkëta mund t’ia kthejmë shkëlqimin yllit dhe ta rritim prapë. Së bashku, mund t’ia dalim!

Linda Hyseni

Liridona Makreshi

No Comments

Post a Comment