Eksperienca si monitoruese e seancave gjyqësore
Mund të them se eksperienca ime si monitoruese e seancave gjyqësore ka qenë e këndshme dhe përveç se më ka ofruar shumë njohuri, kam fituar edhe përvojë e cila pa dyshim do të më shërbej për të krijuar një të ardhme më të suksesshme gjatë viteve në vijim.
Si një studente e drejtësisë jam mësuar me shumë literaturë, e qe shpesh herë di të jetë edhe pak monotone apo siç disa i thonë “e thatë”. Duke marrë po ashtu, parasysh se jam në vitin e dytë të studimeve, dhe se praktikat iu ofrohen zakonisht absolventëve, nuk kam pasur mundësi të krijoj ndonjë eksperiencë sa i përket drejtimit tim. Prandaj, kjo mundësi dhe iniciativë e YIHR KS ka qenë mëse e mirëseardhur nga ana ime, por edhe e shumë të tjerëve.
Profesorët dhe librat janë mjete të pazëvendësueshme të dijes. Mirëpo, e po të njëjtës rëndësi është edhe praktika, trajnimet e fushave të ndryshme, programet apo akademitë të cilat ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të shumta dhe na formojnë për të ardhmen.
Të qenit nga afër në seancat gjyqësore, të vëzhgoja se si ato zhvillohen, cfarë ndodhë më saktësisht, dhe se si gjykatat funksionojnë nga brenda, më ka ndihmuar tejmase. Është e rëndësishme që ligji apo e drejta të nxirret prej librave dhe të kuptohet në një këndvështrim praktik, dhe kjo eksperiencë ka shërbyer pikërisht për këtë gjë.
Përfundimisht mund të them se përveq njohurive dhe rritjes personale, kam fituar edhe praktikë që do të më mundësoj të punoj akoma më shumë, jo vetëm për veten, por edhe për të pasur një ndikim pozitiv në komunitetin tonë. Unë besoj se çfarëdo gjëje të mirë që ndërtojmë përfundon duke na ndërtuar ne dhe pak nga pak, me të gjithë, ne mund të fillojmë procesin e përmirësimit të shtetit tonë nga brenda.
Vesa Pula