Eksperienca si monitoruese e seancave gjyqësore
Monitorimi i seancave gjyqësore në kuadër të projektit të YIHR KS ka qenë eksperiencë e jashtzakonshme për mua si studente në fakultetin juridik, pasi që gjatë monitorimit të seancave kam pasur mundësinë që nga afër dhe me vigjilencë të shoh se si zhvillohet procedura penale dhe cili është roli i palëve në këtë procedurë.
Pasi që në fakultetet juridike e mësojmë vetëm anën teorike, monitorimi i seancave gjyqësore me ka ndihmuar në aspektin praktik, sepse tani njohuritë e marra në ligjerata nuk janë më abstrakte për mua. Gjithashtu, kam përvetësuar njohuri për fazat e procedurës penale dhe të drejtat e palëve në procedurë penale.
Pjesa dërmuese e seancave të cilat i kam monitoruar kanë qenë raste mediatike për të cilat interesi i publikut ka qenë më i madh, për veprat penale siç janë “Keqperdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Rrëmbimi”, “Detyrim” “Vjedhje Grabitqare” etj.
Në disa seanca kam pasur mundesinë të shoh se si merren në pyetje dëshmitarët, si udhëzohen për të drejtat e tyre si deshmitarë dhe si bëhet ballafaqimi i deshmisë së tyre me shkresat e lëndës. Disa seanca kanë zgjatur më shumë ndërsa disa tjera më pak, varësisht se në çfarë stadi kanë qenë.
Pas monitorimit të seancave kam shënuar raporte për secilën seancë veç e veç duke e përshkruar në detaje rrjedhën e procedurës, ato çfarë janë folur dhe deklaruar në seancë, pa dyshim që kjo gjë më ka ndihmuar të fitoj shkathtësi në të shkruar dhe aftësi analitike duke e analizuar rrjedhën e procedurës dhe veprimet të cilat janë ndërmarrë nga ana e palëve. Vlenë të theksohet se ky projekt i monitorimit të seancave gjyqësore ishte i një rëndësie të veçantë për faktin se me raportimet tona arrihet një përqindje më e lartë e transparencës së gjyqësorit kështu duke shmangur shkeljet eventuale të të drejtave që i kanë palët në procedurë.
Kjo eksperiencë do të më shërbej në të ardhmen duke me bërë më të përgaditur në aspektin praktik, gjithashtu tani njohuritë e mia për çështje procedurale janë më të avancuara.
Shaqire Elshani