Blog

Home / Blog Shqip  / Eksperienca ime si monitoruese në Gjykatë

Eksperienca ime si monitoruese në Gjykatë

Mundësia nga organizata Youth Initiative for Human Rights: YIHR KS për monitorim të seancave është një nga mundësitë më të mira që më është ofruar gjatë studimeve. Njohja e procedurave nga afër, analizat dhe komentet nga përballja e palëve në procedurë, shpallja e aktgjykimeve, mbrojtja e të pandehurit në procedurë dhe në përgjithësi njohuritë e reja në aspektin procedural janë vetëm disa nga beneficionet nga pjesëmarrja ime dhe monitorimi në seanca.

Monitorimi i seancave më ka afruar me punën në gjykata dhe më ka informuar në lidhje me funksionimin e këtyre institucioneve. Gjatë monitorimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj më kanë shqetësuar disa fakte të cilat mendoj se janë shumë të rëndësishme në aspektin e sigurisë së gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës në përgjithësi. Këto fakte kanë të bëjnë me nivelin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të njerëzve të cilët hyjnë dhe dalin nga gjykata pa u vënë re nga askush. Potenciali i rrezikshmërisë dhe pasojat që mund të shkaktohen nga ky nivel i ulët i mbikëqyrjes duhet të merren parasysh dhe të trajtohen që të arrihet një zgjidhje përfundimtare në dobi të gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës.

Platforma “E Drejta jem” në kuadër të organizatës YIHR KS, është mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Republikës së Kosovës që të raportojnë çdo lloj shkelje ligjore të të drejtave të tyre. Të jemi të barabartë në të drejta në aspektin ligjor është kryefjala e çdo shteti demokratik në kohën moderne por të jemi të lirë dhe të barabartë në praktikë apo në përditshmërinë e jetëve tona është sfidë me të cilën ballafaqohen të gjitha shtetet pavarësisht luftimit të këtyre problemeve nga vetë institucionet publike. Andaj, rëndësia e kësaj platforme është e pajustifikueshme dhe vendimtare në aspektin e respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe ndryshimit të parregullësive në shoqërinë tonë.

Elsa Ibrahimi

No Comments

Post a Comment