Eksperienca gjatë monitorimit në Gjykatë
Duke qenë studente e drejtësisë, pjesëmarrja në seanca gjyqësore ishte një dëshirë e rëndësishme për mua. Tani që u realizua nëpërmjet programit të YIHR KS, doli të jetë edhe shumë fitim-prurëse në kuptimin e zhvillimit profesional dhe kuptimit më të thellë të mbarëvajtjes së punës së gjykatës në përgjithësi. Përgjatë kohës sa pata mundësinë të isha monitoruese e seancave gjyqësore, arrita që të vëzhgoj nga afër proceset gjyqësore si në procedurën civile ashtu edhe penale duke nisur që nga seancat përgatitore në procedurë civile apo nga shqyrtimet fillestare në procedurë penale e deri në shqyrtimin kryesor në të dyja procedurat.
Gjatë kësaj periudhe kohore kam monitoruar raste të ndryshme të udhëhequra nga gjyqtarë të ndryshëm si dhe në stade të ndryshme të procedurës si civile ashtu edhe penale. Kam arritur të kuptoj më qartë mbarëvajtjen e punës së gjykatës, të stafit mbështetës të gjyqtarëve, sfidat nëpër të cilat kalojnë, etj. Po ashtu, për herë të parë pata mundësinë që të shohë për nga afër një seancë të një shqyrtimi penal e cila ishte mjaft interesante për mua. Më konkretisht, ishte interesante se si zhvillohej procedura, rendi që respektohej në seancë, leximi i aktakuzës, deklarimi i të pandehurit për pranimin apo jo të fajësisë e deri në rastet ku bëhej dëgjimi i dëshmitarëve dhe se si bëhej dëgjimi i tyre, më konkretisht se cfarë procedurë ndiqej në mënyrë që të respektoheshin dispozitat ligjore në marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Po ashtu, më ka lënë përshtypje sjellja profesionale e gjyqtarëve në raport me palët laike.
Dua të shtoj se në seancat gjyqësore të cilat unë i kam monitoruar nuk kam vërejtur ndonjë shkelje etike, së paku për aq sa unë mundem të identifikoj. Gjyqtarët tek të cilët monitorova seancat gjyqësore kishin sjellje profesionale ndaj të gjitha palëve në procedurë dhe kjo vlen si në seancat që i kam monitoruar në lëmin penal ashtu edhe ato në lëmin civil.
Përfundimisht, jam shumë falenderuese për këtë mundësi që më është ofruar dhe jam shumë e sigurt se gjërat që kam arritur t’i mësoj përgjatë kësaj periudhe kohore (megjithëse e shkurtër) do të më hyjnë në punë në praktikë, si përgjatë studimeve, duke qenë se ende jam në studime e pastaj edhe në punën time pas studimeve. Po ashtu, dua të theksoj se megjithëse ushtrimi i profesionit të juristit ka qenë gjithmonë dëshira ime, tani që mu dha mundësia që të shoh më nga afër se si funksionon gjykata, përkatësisht se si praktikohet profesioni për të cilin unë studioj, mezi pres që edhe unë një ditë të bëhem pjesë e praktikës gjyqësore, në avokaturë apo në sistemin gjyqësor.
Era Vitija