Editorial nga bashkëbisedimi me prokuroren Fetije Bajrami Shala në Vushtrri
Bashkëbisedimi i rradhës në kuadër të projektit “Të Rinjët për Drejtësi”, i organizuar nga organizata “Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut” dhe i mbështetur nga Departamenti i Shtetit Amerikanë, u mbajt në Vushtrri.
Ky aktiviteti i njohur si “Justice Talk”, u mbajt me datën 12 shtator 2019, në Kalanë e Vjetër të Vushtrrisë, pjesë e të cilit ishte Prokurorja Fetije Bajrami Shala, dhe ky bashkëbisedim u moderua nga Rina Mehana.
Bashkëbisedimi filloi në ora 11:00, ku interesimi i qytetarëve të Vushtrrisë qe i madhë, dhe pjesëmarrës kanë qenë nxënës të shkollave të mesme, studentë të fakulteteve të ndryshme, punëtorë nëpër organizata ndërkombëtare, por edhe punëtorë të institucioneve publike.
Fillimisht fjalën hyrëse e morri Blendë Pira- asistente e projektit në YIHR, e cila u tregoi më shumë rreth projektit “Të Rinjët për Drejtësi”, duke ju ofruar pjesëmarrësve një pasqyrë të punës që po e bënë kjo organizatë në kuadër të këtij projekti. Më pas fjalën e morri moderatorja e cila e prezentoi edhe njëherë prokuroren si dhe e informoi publikun që ky është një bashkëbisedim interaktiv, dhe i inkurajoi që ata të i parashtrojnë të gjitha pyetjet e tyre në lidhje me rolin e prokurorit dhe të gjitha fushat që i prek ky profesion.
Bashkëbisedimi filloi me informata rreth prapavijës së prokurores Fetije Bajrami Shala, e cila tani bënë pjesë në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Departamentin e Krimeve të Rënda, por e cila deri para një viti ka qenë pjesë e Departamentit të Përgjithshëm. Kjo prokurore i tregoi pjesëmarrësve për përvojën dhe bagazhin e madhë profesional qe ajo ka, kështu duke i bërë pjesëmarrësit edhe më entuziastë për të parashtruar pyetje rreth profesionit të saj. Ajo tregoi se edhe pse puna e prokurorit i jep kohë të limituar asaj që të merret me aktivitete të tjera, ajo prapë se prapë organizon aktivitete për vetëdijësimin e qytetarëve, duke përfshirë edhe ligjerata për nxënësit e shkollave të mesme të rajonit të Mitrovicës, në mënyrë që atyre të ju sigurojë informim sa më të mirë për sistemin tonë të drejtësisë.
Me anë të pyetjeve të cilat i parashtronin pjesëmarrësit, prokurorja pati mundesi të shuaj kureshtjen e tyre, si në fushën e dhunës së familjes, ngacmimeve seksuale, të drejtave të viktimave dhe të tjera.
Prokurorja pas pyetjes së parashtruar, tha se rastet e dhunes se familjes jane të shpeshta në Prokurori, por jo të gjitha përfundojnë me aktakuzë. Sipas saj, arsyet pse dhuna në familja ndodhë më së shumti, qe fakti i gjendjes së rëndë ekonomike dhe papunësisë, por ajo nuk përjashtoi rastet kur dhuna në familje ka ndodhur edhe në familje me gjendje ekonomike shumë të mirë. Ajo theksoi se si mundohet të e parandalojë sa mundet këtë lloj dhune, pasi që dhuna do të ketë ndikim edhe te fëmijët e asaj familje, të cilët statistikisht do të bëhen persona që do ta ushtrojnë dhunën në të ardhmen.
Prokurorja nuk i kurseu edhe shpjegimet për dallimet mes ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale, dhe pastaj pas pyetjes se si mundet një qytetarë të e provojë faktin se ai/ajo po ngacmohet, ajo u ofroi informata shtesë për mënyrën se si shumica e këtyre rasteve zgjedhen nga prokuroria, me ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Laboratorit të Forenzikës.
Tema e ngacmimeve hapi edhe një mori pyetjesh se si do të mbrohen viktimat, ne rast se ata vendosin të paraqesin rastin e tyre. Prokurorja Bajrami- Shala, tregoi se në kuadër të Prokurorisë ekziston Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, detyrë e së cilës është edhe ndërhyrja në emër të viktimës, për t’i mbrojtur të drejtat e viktimës gjatë procedurës se hetimit, ndjekjes dhe dënimit të një rasti penal.
Të ndërlidhur me këtë temë, bashkëbisedimi vazhdoi edhe me pyetje të tjera të të pranishmëve. Ata pyetën edhe se si duhen bërë kallëzimet penale, proces i cili u spjegua nga vetë prokurorja.
Dëshmitë të cilat ipen nga deshmitarët ishte edhe një temë e prekur këtë ditë. Pjesëmarrësit pyetën se çka ndodhë kur një person e ndërron deklaratën e tij, dhe a i ka ndodhur asaj personalisht që të përballet me një situatë të tillë. Ajo u shpreh se deshimtarit i tregohen paraprakisht të drejtat dhe detyrimet e tij, këtu duke përfshirë edhe faktin se dëshmia e rreme është vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës, ndërsa për pyetjen tjetër, ajo tha se fatmirësisht deri tash nuk është ballafaquar me një situatë të tillë.
Bashkëbisedimi vazhdoi edhe me një pjesë tjetër, e cila këtë rradhë përfshiu rrezikun personal qe u kanoset prokurorëve. Prokurorja u pyet se a është ky profesion i sigurt, dhe se a është kërcënuar ajo ndonjëherë gjatë ushtrimit të profesionit të saj. Ajo u shpreh se ajo ndihet shumë e sigurt në punën e saj, dhe se nuk ka marrë kurrë ndonjë kërcënim. Ajo theksoi se shteti ofron mekanizma në mbrojtje të tyre në rast se kjo ndodhë, pasi që vetë prokurorët kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje nga shteti në rast rreziku.
Në fund, pasi që moderatorja e pyeti se a do të ndryshonte diçka në sistemin tonë të drejtësisë, ajo tha se ligjet tona në Kosovë janë ligje shumë të mira, dhe shumë adekuate për shtetin tonë, dhe kështu sipas saj e vetmja gjë e cila ajo do të ndryshonte tha se do të ishte numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të forcojnë sistemin tonë të drejtësisë, duke e bërë atë më të sigurt dhe të paanshëm.
Si përfundim, perfaqësuesit e organizatës i falenderuan të pranishmit, duke i inkurajuar ata të bëhen pjesë e aktiviteteve të ardhshme të cilat do të ndodhin në kuadër të këtij projekti.