Editorial nga bashkëbisedimi me gjyqtarin Artan Sejrani në Prizren
Bashkëbisedim mes të rinjve dhe gjyqtarit Artan Sejrani
Është realizuar bashkëbisedimi mes të rinjve dhe gjyqtarit Artan Sejrani, në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Drejtësi” që mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan-INL dhe implementohet nga organizata YIHR KS në bashkëpunim me EC MA NDRYSHE. Qëllimi i këtij organizimi ka qenë që të rinjve t’iu jepet mundësia të njihen për së afërmi me punën e gjykatës, duke parashtruar pyetjet e tyre përmes një bisede me gjykatësin e pranishëm.
Në kuadër të këtij bashkëbisedimi gjyqtari Sejrani prezantoi para të pranishmëve strukturën funksionale të gjyqësorit në Kosovë dhe punën të cilën po e zhvillon Gjykata Themelore e Prizrenit në kuadër të departamenteve të saj. Artan Sejrani, vjen nga Departamentit i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren. Z. Sejrani që nga viti 2011 ka filluar bashkëpunimin profesional në Gjykatën e Qarkut në Prizren kurse në vitin 2012 është dekretuar si Gjyqtar në Gjykatën Komunale në Dragash. Në fillim të vitit 2013 është transferuar në Gjykatën Themelore në Prizren, ndërsa në fillim të vitit 2016 është transferuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe nga fillimi i vitit 2017 është kthyer në Gjykatën Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda.
Gjyqtari para të pranishmëve prezantoi mënyrën se si funksionojnë departamentet e gjykatës, procesin e gjykimit dhe trajtimit të lëndëve, si dhe barrierat në të cilat hasin si institucion Sfida kryesore e cila u shfaq në këtë bashkëbisedim ishte grumbullimi i lëndëve për shkak të kapaciteteve të kufizuara të stafit të këtij institucioni dhe numrit të vazhdueshëm të pranimit të lëndëve të reja. Pyetjeve të shumta të të pranishmëve iu përgjigj z. Sejrani duke dhënë sqarime specifike. Në këtë bashkëbisedim të rinjtë patën pyetje të ndryshme rreth çështjes së parashkrimit të lëndëve, mënyrës së caktimit të lendëve tek gjyqtarët, seancave të hapura, bashkëpunimit të gjykatës me universitetin e Prizrenit.
Në këtë bashkëbisedim u fol edhe për natyrën e rasteve që trajton kjo gjykatë. Në pyetjen se a ka pasur raste ku janë gjykuar krimet e luftës, gjykatësi u përgjigj pozitivisht duke thënë se janë dy rastë të cilat i ka proceduar Gjykata Themelore e Prizrenit. Siguria e gjyqtarëve dhe pavarësia e tyre në përmbushje të detyrave ishtë çështja tjetër që u diskutua, dhe gjyqtari sqaroi mbi mekanizmat që mund të përdoren për mbrojtjen e tyre në raste të tilla. Gjykatësi para të pranishmëve prezantoi edhe metodën onlinë të marrjes së dëshmive nga personat që janë jashtë shtetit, gjë që ka filluar të praktikohet së fundmi nga kjo gjykatë dhe praktikat e tilla tani më po ndahen edhe me gjykatat tjera.
Mënyrat se si monitorohet gjykata dhe mënyra se si funksionon Këshilli Gjyqësor i Kosovës ishte tematika tjetër që u prek nga të pranishmit dhe gjykatësi. Gjyqtari tregoi se Gjykata Themelore e Prizrenit njihet për transparence dhe llogaridhënie, madje që nga viti 2015 në bashkëpunim me organizatën EC Ma Ndryshe ata prodhojnë edhe një buletin informative ku prezantohet puna tre-mujore e gjykatës si një mjet tjëtr për t’u ndëlidhur me qytetarin dhe për të rritur nivelin e llogaridhënies.
Në këtë bashkëbisedim të rinjtë u njoftuan se në rajonin e Prizrenit me datë 6, 7, 8 gusht do të mbahet trajnimi për gjykime të simuluara dhe u ftuan që të aplikojnë për të qenë pjesë e kësaj eksperience. Të rinjve poashtu i’u prezantua platforma “E drejta jem” ku mund të njoftohen mbi të drejtat e tyre dhe të raportojnë shkeljet.