Blog

Home / Blog Shqip  / Editorial nga bashkëbisedimi me avokatin Visar Rrecaj në Drenas

Editorial nga bashkëbisedimi me avokatin Visar Rrecaj në Drenas

Me datë 3 Shtator 2019 në Bibliotekën e Qytetit “Ymer Elshani”, në Komunën e Drenasit në kuadër  të projektit “Të Rinjtë për Drejtësi” u zhvillua aktiviteti i bashkëbisedimit “Justice Talk” me avokatin Visar Rrecaj dhe u moderua nga Zanë Buçinca.

Bashkëbisedimi fillojë në ora 17:00 dhe të pranishëm ishin studentë, të diplomuar dhe nxënës të shkollave të mesme.

Fillimisht Blendë Pira – asistente e projektit në YIHR mbajti një fjalim të shkurtër lidhur me projektin, qëllimin e realizimit dhe informimin e publikut të pranishëm.

Pas saj fjalën e mori moderuesja e këtij eventi Zanë Buçinca, e cila e njoftoi publikun me avokatin Visar Rrecaj dhe pas një fjalimi të shkurtër nga avokati Visar Rrecaj, moderuesja filloi me parashtrimin e pyetjeve.

Fillimisht avokati Rrecaj është pyetur për rolin e avokatit në procesin gjyqësor, e me këtë rast avokati Rrecaj ka sqaruar se roli i avokatit është mbrojtja e interesave të qytetarëve respektivisht të të mbrojturit të tij.

Lidhur me rëndësinë e rolit të avokatit në procesin gjyqësor, avokati ka thënë se gjatë procesit penal avokati ka një rol shumë të rëndësishëm, pasi i jep klientit të vet këshilla ligjore dhe i garanton një mbrojtje profesionale që konsiston në respektimin e të drejtave të tij, të cilat lindin për shkak të kufizimit të lirive si pasojë e ngritjes së një akuze penale. Ndërsa në procesin civil, palët mund të mbrohen edhe vetë, përveç rasteve kur përfaqësimi është i detyrueshëm. Pra në dallim nga procesi penal, ku mbrojtja bëhet më e domosdoshme për të garantuar një proces të rregullt ligjor, në procesin civil, palët janë të lira që të ndërtojnë mbrojtjen e interesave të tyre vetë ose nëpërmjet përfaqësimit me avokat.

Në vazhdim, avokati Rrecaj është pyetur edhe për kushtet të cilat duhet të plotësohen për të fituar statusin e avokatit, për të vazhduar më tutje edhe me të drejtat dhe detyrat e avokatit si dhe organizimin e avokatisë në Republikën e Kosovës.

Përveq përfundimit të Fakultetit Juridik dhe dhënies së provimit të Jurisprudencës, respektivisht kushteve të përcaktuara me Ligjin e Avokatisë në Republikën e Kosovës, avokati përveçse njohurive shumë të mira në fushën e ligjit që duhet të ketë gjatë ushtrimit të profesionit të tij, duhet të ketë dhe aftësi profesionale që edhe këto të fundit janë relative dhe varen nga thellimi i njohurive në profesionin e avokatit dhe nga dëshira dhe vullneti i gjithsecilit avokat për të ushtruar profesionin në mënyrë sa më cilësore ka thënë Rrecaj.

Në pyetjen drejtuar avokatit lidhur me të drejtën për mbrojtje si e drejtë kushtetuese dhe ligjore avokati ka shpjeguar se kjo e drejtë është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe me ligj dhe se këtë të drejtë e gëzojnë të gjithë. Posaqërisht personi të cilit i hiqet liria,ka të drejtën e komunikimit menjëherë me një avokat.

Lidhur me Kodin e Etikës së Avokatit, avokati ka sqaruar se për profesionin e avokatit apo rregullave të vendosura në Kodin e Etikës së avokatit,mbi të gjitha ky proces ka si parësore norma që ndikojnë drejtpërdrejt në interesin e klientit dhe në cilësinë e mbrojtjes.

Në ndërlidhje me këtë avokati është pyetur edhe për raportin e avokatit me klientin, e që konsiston kryesisht ne çështje p.sh. si e kupton avokati problemin juridik që ka klienti i tij; si i jep ai përgjigje për problemin që ka klienti dhe si i përfaqëson interesat e tij.

Në pyetjen lidhur me rëndësinë e avokatisë si profesion i lirë, avokati ka sqaruar se Avokatia dhe profesioni i avokatit janë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e sistemit të së drejtës së një vendi dhe padyshim mbështetëse kryesore të dhënies së drejtësisë.

Poashtu është diskutuar edhe lidhur me pavarësinë e avokatit për ushtrimin e funksionit të tij dhe masat disciplinore shqiptuar kundrejt avokatit të papërgjegjshëm, pastaj për përparësitë dhe mangësitë e profesionit të avokatisë si dhe sfidat me të cilat hasin çdo ditë.

Poashtu është diskutuar edhe lidhur me angazhimin e avokatit pa pagesë, përkatësisht për ndihmën juridike falas dhe format tjera për asistencë dhe ndihmë juridike falas.

Për të vazhduar më tutje edhe me sqarimin  për rastet sipas detyrës zyrtare apo rastet “pro bono”, si caktohen dhe nga kush?

Avokati Rrecaj ka sqaruar se ndihma juridike shtetërore realizohet përmes ofrimit të informacionit dhe asistencës ligjore për personat në pamundësi financiare me qëllim përmbushjen e të drejtave të tyre të njohura me ligj. Nëpërmjet ndihmës juridike shtetërore, çdo personi i garantohet ushtrimi efektiv i të të drejtës për t’iu drejtuar dhe marrë pjesë në procedurat administrative të organeve të administratës shtetërore, këshillimit dhe përfaqësimit në proceset gjyqësore penale, administrative dhe civile, pavarësisht nga mundësitë e tij financiare.

Listën e avokatëve për përfaqësimin në Polici, Prokurori, Gjykatë dhe Agjensionin e Ndihmës Juridike Falas e përbëjnë të gjithë avokatët që janë deklaruar dhe shprehin interesim për të përfaqësuar sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas në ANJF. Avokatët të cilët angazhohen sipas detyrës zyrtare, janë të obliguar që brenda një viti kalendarik të ofrojnë ndihmë juridike falas (Pro Bono), në së paku një rast, caktimi i avokatit në rastet Pro Bono bëhet përmes Zyrës Koordinuese ka shtuar Rrecaj.

Krejt në fund avokati, u pyet edhe për mënyrën se si qytetarët respektivisht të rinjët mund të jenë qytetar aktiv në sektorin e drejtësisë.

Në fund të bashkëbisedimit u vazhdua edhe me pyetjet e pjesëmarrësve të pranishëm drejtuar avokatit. Pyetjet drejtuar avokatit ishin të natyrave të ndryshme duke filluar nga procedura civile, penale, administrative dhe nga e drejta e punës.

Krejt në fund, pjesëmarrësit u informuan edhe me platformën “E drejta jem”, në të cilën qytetarët mund të informohen më shumë lidhur me të drejtat e tyre si dhe të raportojnë shkeljet e këtyre të drejtave. Gjatë këtij bashkëbisedimi të rinjët patën mundësinë që të informohen me shumë për me punën dhe rolin e avokatit, të drejtat dhe detyrat e tij, kushtet për të fituar statusin e avokatit, parimin e konfidencialitetit, privatësise dhe mbrojtjes së të dhënave, raportin e avokatit me klientin, rëndësia e përfaqësimit me avokat, përparësitë dhe mangësitë e profesionit të avokatit si dhe sfidat me të cilat ndeshen çdo ditë, e drejta për mbrojtje si e drejtë kushtetuese, përfitimi nga ndihma juridike falas, ose nga avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare, Kodin e Etikës, mënyrat e raportimit të shkeljeve etj.

No Comments

Post a Comment