Blog

Home / Blog Shqip  / EDITORIAL NGA BASHKËBISEDIMI ME AVOKATIN QENDRIM RAMA NË SKENDERAJ

EDITORIAL NGA BASHKËBISEDIMI ME AVOKATIN QENDRIM RAMA NË SKENDERAJ

Youth Initiative for Human Rights mbajti bashkëbisedimin e radhës në qytetin e Skenderajt ku i ftuar ishte avokati Qendrim Rama.

Në këtë bashkëbisedim të pranishëm ishin qytetarë të moshave dhe profileve të ndryshme, të cilët i dhanë bashkëbisedimit një laramani mendimesh dhe këndvështrimesh.

Në pjesën hyrëse të bisedës, përveç prezantimit të projektit dhe qëllimit për të cilin ishim mbledhur, moderatorja e ngjarjes bëri një prezantim të shkurtër të profilit të avokatit, duke i njoftuar të pranishmit me punën dhe arritjet e Qendrimit.

Bashkëbisedimi më pas u zgjerua duke bërë një kombinim mes pyetjeve të parashtruara nga ana e moderatores dhe inkuadrimit të herëpashershëm të të pranishmëve të cilët interesoheshin të dinin më shumë për rastet konkrete me të cilat ballafaqohet një avokat në punën e tij të përditshme.

Duke qenë se takimi kishte për qëllim t’i informonte të pranishmit më në detaje për rolin e avokatit në shoqëri, respektin që ai gëzon në realitetin kosovar, sfidat me të cilat përballet dhe shumë segmente të tjera të kësaj fushe, këto dhe shumë të tjera u sqaruan në mënyrë shumë miqësore dhe profesionale në të njëjtën kohë nga ana e avokatit.
Gjithashtu në këtë diskutim u diskutua edhe për funksionimin e ndihmës juridike e cila ofrohet falas në Kosovë e më specifikisht në komunën e Skënderajt. Ndërkaq ajo që vlen të theksohet është fakti që avokati Rama potencoi se puna e një avokati është pjesë e zingjirit Gjyqësor-Prokurori-Avokat dhe në rast se njëra nga këto hallka nuk funksionon siç duhet, atëherë gjasat që një proces të dështojë janë shumë më të mëdha.

Njëri nga pjesëmarrësit në ngjarje u interesua të di për rastin më të vështirë si në aspektin profesional por edhe emocional me të cilin është përballur Qendrimi në karrierën e tij ndërsa një tjetër e pyeti avokatin për etikën profesionale të punës së një avokati dhe duke qenë më specifik në pyetje kërkoi nga ai që të dijë se a i lejohet një avokati të përdorë termin “kriminel” apo “vrasës” para se të ipet verdikti final në procesin gjyqësor.

Avokati gjithashtu ndau me bashkëbiseduesit edhe rastet kur ai kishte ofruar shërbime pro bono dhe për të cilat u shpreh se janë të shpeshta, duke qenë se standardi i tij ekonomik ia mundëson një gjë të tillë dhe jo gjithmonë e ka të rëndësishëm përfitimin material nga klientët.

Vlen të ceket se pavarësisht që u diskutua për rreth 2 orë, interesimi i pjesëmarrësve vazhdonte të mbetej i lartë dhe sado që u munduam të bënim një përmbledhje, mbeten akoma çështje që do duhej të diskutoheshin në të ardhmën qoftë përmes takimeve të tilla apo duke gjetur edhe forma të tjera për t’i informuar qytetarët sa më shumë për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

No Comments

Post a Comment