Blog

Home / Blog Shqip  / A i shkelë shteti të drejtat e njeriut?

A i shkelë shteti të drejtat e njeriut?

Sot, Kosova shënon Ditën e Kushtetutës, një datë shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen dhe funksionalizimin e shtetit, duke marrë parasysh fuqinë dhe rolin e saj në një shtet demokratik, si Kosova.

Një ndër kapitujt më të rëndësishëm në Kushtetutën e Kosovës është kapitulli II në të cilin janë të përcaktuara të drejtat fundamentale të njeriut, e këto të drejta njihen edhe me akte të tjera ndërkombëtare. Ndonëse roli i shtetit është proaktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, praktika shpesh na ka dëshmuar se ndonjëherë është vet shteti ai që bën shkeljet më flagrante të këtyre të drejtave fundamentale, e një praktikë e tillë është e shprehur edhe në Kosovë.

E Drejta në Jetë – Rasti i Diana Kastratit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëpërmjet një aktgjykimi kishte konstatuar  se organet shtetërore kishin shkelur të drejtën në jetë të qytetares Diana Kastrati e cila kishte përfunduar e vrarë. Kjo kishte ardhur si rrjedhojë e kërkesës që e ndjera i kishte drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë për lëshim të urdhërit për mbrojtje emergjente për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të pretenduara nga ish-bashkëshorti i saj. Pas paraqitjes së kësaj kërkese në Gjykatë (e cila në bazë të dispozitave ligjore ka pasur obligim të reflektojë me një përgjigje/të veprojë brenda afatit prej 24 orëve ndaj kërkesës së parashtrueses për mbrojtje emergjente), Gjykata nuk ka arritur ta përmbushë obligimin e saj, ku si pasojë e këtij mosreagimi Diana Kastrati vdiç nga plagë të marra në qafë nga një armë zjarri, shkrepur nga ish-bashkëshorti i saj.
Rrjedhimisht, mungesa e veprimit të këtyre institucioneve, mos-ofrimi i sigurisë dhe shërbimeve të obligueshme edhe me njohjen e rrezikut real për të drejtën në jetë, ka bërë që këto institucione (në këtë rast Gjykata Themelore e Prishtinës) të jenë vetë dhunuese e të drejtës për jetë të garantuar ndaj çdo personi sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 25) dhe nga instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut drejtpërdrejt të zbatueshme në Kosovë.

Përfundim:

Përkundër kornizës ligjore e cila natyrisht që shërben si një mbrojtje për qytetarët në rast të shkeljes së të drejtave të tyre, roli i vetë qytetarëve në këtë proces është mjaftë i rëndësishëm e vendimtarë. Është shumë e rëndësishme që ne si qytetarë të jemi syhapur ndaj këtyre shkeljeve të cilat na ekspozohen dhe të dimë mënyrat e veprimit për t’u mbrojtur duke filluar nga avokimi për të drejtat tona, për të vazhduar me ankesa në instancat e rregullta gjyqësore e deri në Gjykatën Kushtetuese.

No Comments

Post a Comment