Blog

Home / Blog Shqip  / A e dini sa vite u merr gjykatave të Kosovës vendosja e drejtësisë?

A e dini sa vite u merr gjykatave të Kosovës vendosja e drejtësisë?

Të drejtat e njeriut, struktura e institucioneve të rëndësishme shtetërore e institute të tjera bazë për mirëfunksionimin e shtetit përcaktohen me Kushtetutën e Kosovës.

E miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, organ që pasqyron përfaqësimin e popullit, Kushtetuta është akti më i lartë në shtet i cili akt në mënyrë gjenerale vendosë kornizën e të gjitha çështjeve fundamentale për vendin, ku më pasë këto çështje jetësohen përmes ligjeve.

Të gjitha ligjet e tjera të cilat nxjrren në Kuvendin e Kosovës kanë për qëllim konkretizimin e neneve të Kushtetutës dhe rregullimin specifik të të gjitha çështjeve, prandaj këto ligje duhet të jenë në përputhje me të, në të kundërtën shpallen si kundër kushtetues.

Gjatë kësaj jave ju do të njoftoheni me disa raste të shkeljeve të të drejtave nga institucionet shtetërore kosovare, ndërsa sot do të lexoni se si është shkelur E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm.

E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm – neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj

E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm, si e drejtë kushtetuese dhe e garantuar me instrumente ndërkombëtare, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) përcakton se për të mbrojtur të drejtat apo obligimet civile, çdo njeri ka të drejtë për gjykim të drejtë nga një organ i pavarur gjyqësor përbrenda një kohe të arsyeshme. 

Raportet vjetore të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) shpërfaqin problemet e gjyqësorit lidhur me zvarritjet në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, e ndonjëherë edhe mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga ana e autoriteteve shtetërore. Ndër të tjera, bazuar në KEDNj dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), IAP ka theksuar se ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme është pjesë e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Në Kosovë, në disa raste ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme nuk është bërë as 16 vite pas inicimit të procedurës gjyqësore. Një rast i tillë sigurisht që nuk paraqet drejtësi në kohë të arsyeshme.
Më tutje, për të shprehur gjendjen serioze dhe shkeljet flagrante dhe të përditshme të kësaj të drejte, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari kishte tërhequr vërejtjen se në rast të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (çfarë i hapë rrugë qytetarëve për ankesë në GJEDNj) dhe duke marrë parasysh numrin e procedurave gjyqësore në zvarritje, Kosova mund të pësojë dëme shumë të mëdha për shkak të obligimeve për kompenzim nga Gjykata e Strasburgut. 

Përfundim:

Gjykatat e Kosovës shpeshherë e vonojnë shqyrtimin e lëndëve dhe kjo tashmë është një problem shumë i madh, pasi që numri i dosjeve të pa përfunduara ende qëndron i lartë. Duhet të punohet me përkushtim të lartë e me kapacitete të mëdha në mënyrë që problemi të cilin Avokati i Popullit e ka cekur të evitohet dhe qytetarëve t’iu oftrohet çasja e garantuar në drejtësi.

No Comments

Post a Comment